Σάββατο, 31 Μαΐου 2008

Disa shënime për etimologjinë, filologjinë, historinë, arkeologjinë

Etimologjia është ajo disiplinë e gjuhësisë që merret me zbërthimin e fjalëve duke kërkuar kuptimin fillestar dhe rrënjat e tyre. Etimologjia vetë përbëhet nga fjalët etymon + logos ku etymon na del qysh tek Homeri [1] me kuptimin i vërtetë, i sigurtë, dhe nga fjala mjaft e njohur logos që do të thotë fjalë për, dije. Një përkufizim të etimologjisë na jep Eustathi, peshkop i Selanikut dhe një nga Homeristët më të mëdhenj: "Kështu pra edhe etimologji, fjala për të vërtetën, që tregon thelbin e fjalës"[2]. Duket se në lashtësi, në Greqi kryesisht por edhe në Romë [3], etimologjia zinte një vend të rëndësishëm midis filologëve, por shumica e afrimeve që japin dalin sot të gabuara. Mbizoteronte më shumë praktika në krahasimin e fjalëve, ndonjë afrim fonetik apo semiologjik por pa disiplina shkencore.

Pra etimologjia e lashtësisë është ajo që quhet sot etimologji popullore (krahaso me angl. popular etymology, gjerm. Volksetymologie ose Paretymologie, gr. παρετυμολογία, ital. etimologia popolare etj) duke e veçuar nga etimologjia shkencore hapat e të cilës u hodhën kryesisht në shek. e XIX. Një rast i spikatur etimologjie popullore në shqip është fjala Afërdita e cila kuptohet si afër dita në vënd të së drejtës që është huazim nga greqishtja Aφροδίτη (shih zërin Afërdita tek Çabej E., Stud. Etim. në Fushë të Shqipes, Tiranë, 1976). Si terminus technicus, etimologjia ndeshet për herë të parë tek filozofët Stoikë [4] kurse krahas kësaj fjale duket se përdorej edhe fjala etymotis (ετυμότης) [5].

Tek Dionisi i Thrakës etimologjia quhet për herë të parë pjesë e gramatikës (=filologjisë) [6]. Në perjudhën helenistike kemi hartimin e fjalorëve të parë etimologjikë [7] dhe janë po këta fjalorë që shërbyen si bazë për filologët e mëdhenj të Bizantit në hartimin e fjalorëve-enciklopedi. Po përmend disa prej tyre: Etymologicum Genuinum i shek. të IX, Fjalori i Hezikut të Aleksandrisë i shek. të V, Etymologicum Magnum i shek. të XI, Fjalori i Suida-s i shek. të X, fjalori i Patriarkut Fotius i shek. të IX etj.

Filologji

Filologjia është shkenca e teksteve dhe e gjuhës. I pari filolog që dëshmohet është Pronapidi nga Athina. Jetoi rreth viteve 550 p.K. dhe vepra më e rëndësishme që kreu ishte redaksia e Eposve Homerikë [8]. Nuk dimë asgjë tjetër për jetën e tij por dimë se ndarja e veprave Homerike në rapsodi si dhe përshtatja gjuhësore është zgjedhje e tij. Filolog i madh i lashtësisë dhe aktualisht themeluesi i filologjisë dhe grammatologjisë është gjatë shek. të IV p.K. Aristoteli. Nga veprat e Aristotelit ato që kanë shpëtuar nuk janë veçse tekstet mësimore që u jepte nxënësve të tij. Veprat e mirëfillta fatkeqsisht nuk na kanë arritur, veçse në thërrime.

Aristoteli ka qënë i pari që kreu një edicion kritik të veprave Homerike, i quajturi “korrigjimi i nartikut (=kuti ku mbaheshin sende të çmuara)”. Quhet kështu sepse Aleksandri i Madh, për hir të të cilit Aristoteli bëri edicionin kritik, e mbante Iliadën në një kuti t; bukur që plaçkiti nga pallati i Darius-it. Nga ky edicion kritik e ka burimin teksti i sotëm i Iliadës [9]. Dy vepra të tij që kanë mbijetuar me karakter filologjik janë Retorika dhe Poetika (ose Rreth Poetikës).

Histori

Fjala histori rrjedh nga folja οίδα – ίστε – ίστω dhe do të thotë njoh, di, dhe fillimisht kishte kuptimin e shkencës, pra njohurinë për çdo gjë. Prandaj deri në fund të shek. të V p.K, historia dhe shkenca (në greqisht epistimi, që rrjedh edhe kjo nga folja oida) janë dy fjalë sinonime. Më vonë, në mënyrë të ngadaltë historia filloi të veçohet nga shkencat e tjera dhe u quajt histori naturale [10] dhe përfundimisht histori.

Arkeologji

Arkeologjia edhe si shkencë edhe si fjalë ekziston që në lashtësi, por fjala nuk ka kuptimin e shkencës që dimë sot e kësaj dite (të cilën e merr rreth shekullit të XVII). Folja arkeologo tek Tukididi [11] ka kuptimin “them histori të vjetra”, pra më fort ka kuptimin e historisë. Si shkencë nuk ishte shumë e zhvilluar, ka qënë kaq sa ta quajmë nëndarje të historisë, dhe më shumë do t’i ngjante sot epigrafikës, pasi dëshmitë e para që kemi, psh tek Herodoti [12] janë të kësaj natyre.

Shënime:

[1]. Ιλιάς, Κ (Χ), 534

[2]. Ευστάθιος, Οδ. 1408,13

[3]. Shih për këtë, Ηλιόπουλος Κ.Ν., Αι ετυμολογίαι παρ’ Ουάρρωνι, Κικέρωνι και Τίτω Λιβίω, Επιστ. Επετ. της Φιλοσ. Σχ. του Πανεπ. Αθηνών 7, 1956/1957, 385-413 (Etimologjitë tek Varroni, Ciceroni dhe Tit Livi).

[4]. Σκάσση Ε., Ιστορική Γραμματική της Λατινικής Γλώσσης, τομ. Ι, εν Αθήναις, 1969, σ. 51 (Gramatika historike e gjuhës latine).

[5]. Στράβων, 5, 4, 10 [=C. 258].

[6]. Περί Γραμματικής, 1.

[7]. I pari hartues i tillë ka qënë Iraklidi nga Pontos (=Deti i Zi) në shek. e IV me veprën e tij Περί Ετυμολογιών (rreth etimologjive).

[8]. Komentuesi i Dionisit të Thrakës, 6; Grammatici Graeci 1,3,190-1; Cicero, De orat. 3,34; Fjalori Suida, zëri Homer.

[9]. Plutarku, Aleksandri, 8,2.

[10]. Plato, Phaed. 96a.

[11]. Tukididi, Hist. 7,69,2.

[12]. Herod. 5,58-61.

1 σχόλια:

N.Ago είπε...

Ngaqë ndodhemi të dy në Athinë, e konsideron të tepërt dhe jo të domosdoshme, dëshirën time për ta pirë një kafe?