Τρίτη, 06 Μαΐου 2008

Pellazgët (Pjesa II)

Grekët zbritën rreth vitit 2000 p.K. nga lugina e madhe e Danubit që ishte origjina e tyre, duke ndjekur së prapthmi lumin Margos ose Vargos (sot Morava) dhe më pas duke ndjekur lumin Aksios (Vardar) nga të dy brigjet ose të paktën nga bregu perëndimor i lumit. Prandaj e quajtën lumin Aksios, emri i të cilit e ka etimologjinë në fjalën άγω (=udhëzoj), sepse ai i udhëzoi grekët në vendin e tyre përfundimtar, Greqinë. [...] Kam mendimin se emërtimi pellazg i lumit duhet të ishte Sindos (toponim që ende ndeshet në luginën e Vardarit në Selanik – shënim nga Tannhauser). Kur përfundimisht grekët u gjendën në fushën Selanik-Katerini, Botienë (Βοττιαία) e lashtë, që e përshkojnë lumenjtë Aksios dhe Aliakmon dhe që derdhen njëri pranë tjetrit, nga fakti se ndeshën në këto territore një popullsi pellazge ndoqën së prapthmi lumin Aliakmon dhe u përhapën në vargmalet e Pindit, domëthënë Greqinë e Epërme, në të cilat jetuan për disa shekuj deri sa u mbipopulluan dhe vërshuan drejt Greqisë së Poshtme fillimisht dhe Kurorës së Egjeut në vazhdim.

Pellazgët në fillim nuk përbënin një shtet të bashkuar. Ishin të përhapur të paktën në 13 fise si më poshtë: Në Kretë banonin kretët, në Azinë e Vogël, nga lumi Eurimedon deri tek lumi Ksanthos banonin lykët, nga lumi Ksanthos deri në lumin Kaustros banonin karët, nga lumi Kaustros deri tek lumi Kaekos banonin lydët, nga Kaekos deri tek lumi Euros banonin tyrrinët, dhe në Evropë, nga lumi Euros deri tek lumi Aksios banonin kristonët. Nga lumi Aksios deri në lumin Penios banonin votët, nga lumi Penios deri në lumin Sperchios banonin fthiët, nga lumi Sperchios deri në Peloponez banonin kranaët, nga kanali i Korinthit (Isthmos) deri në lumin Achelous banonin kaukonët, nga lumi Achelous deri në lumin Thyamis banonin dodonët, nga lumi Thyamis deri në Epidamn (Durrës) banonin haonët (ose kaonët) ose honët (emërtimi paraqitet në tekstet e lashta greke me dy forma, Χάονες dhe Χώνες – shënim nga Tannhauser) dhe në thellësi të Peloponezit banonin lelegët.

Këto ishin emërtimet fisnore kurse i gjithë kombi quhej pellazg. Mundet me kalimin e kohës të jenë zhvilluar edhe disa dallime dialektikore në gjuhën e tyre apo edhe dallime kulturore kryesisht si rrjedhim i shtrirjes së madhe gjeografike. Midis viteve 2000-1700 p.K. duket se disa nga fiset kishin fituar epërsi ndaj fiseve të tjera dhe i kishin nënështruar ato. Prandaj përmendet pushtim i karëve në Ciklades dhe me gjasa edhe në Attikë e Beoti, pushtimi i tyrrinëve në po të njëjtat vende, pushtimi i lelegëve në Azinë e Vogël ku ndërtuan dhe kështjella, të quajturat lelegeia. Sundimtarët e fundit dhe më të fuqishmit që pushtuan gjithë Pellasgjinë ishin Kretët dhe mbreti i tyre minos. Emri minos, siç kam treguar (në pjesë tjetër të librit – shënim nga Tannhauser), është formë e greqizuar e emrit egjiptian min që do të thotë mbret. Shteti minoik i kretëve u përhap në Detin e Zi, në Azinë e Vogël, në Italinë e Jugut, në Qipro, në bregdetin e Palestinës, Francës, Spanjës, në ishujt Valearidë, në bregdetin e Libisë dhe Afrikës Veriore deri në Gibraltar.

Nga vitet 1900 – 1800 p.K. duhet të kishte një farë invazioni paqësor të grekëve në vendet pellasgjike të Greqisë së Poshtme dhe grekët duhet të përdoreshin si skllevër, argatë ose luftëtarë (mercenarë). Gjatë shekulit të XV p.K., nga dekadenca e shtetit minoik si dhe nga katastrofa që pësoi ky qytetërim nga shpërthimi i vullkanit të Thirës (Santorini), shteti u shpërbë dhe u sundua nga grekët. Ndryshoi duar kështu sundimi i Greqisë (nga pellazgët tek grekët) dhe filloi zbritja e fiseve të reja grke nga Greqia e Epërme, duke humbur njëkohësisht edhe lidhjet me grekët e tjerë që u lanë pas.

Në këtë mënyrë u krijuan shtetet e reja akeike të cilat me kalimin e kohës shtinë nën sovranitetin e tyre edhe kurorën e Egjeut ndonëse nuk arritën përhapjen që kishin më përpara pellazgët. Në këtë perjudhë të rrënimit të shtetit pellazgjik-minoik, dhe para se të zhvillohet ai akeik – ngaqë grekët nuk ishin popull detar – filluan invazione në kurorën e Egjeut fenikët, një popull de karakter detar, i dyti në detari në atë kohë pas kretëve. Kështu kemi dëshmi fenike në shumë vende të Egjeut dhe të Jonit, ndër ishuj si edhe në Greqinë kontinentale që arritën deri në rrënjët e malit Pangaios, e në Iliri (Shqipëri). Po në këto treva prezenca e fenikëve ishte e shkurtër. Si rezidencë kryesore paraqitet qyteti i Beotisë i cili nga pellazgët quhej Potnies (Ποτνίαι) kurse nga fenikët u quajt Kadmia (Καδμεία) kurse nga akeikët më pas Theva ose Teba (Θήβαι). Prijësit e qytetit quheshin Kadmoi (Κάδμοι), dhe banorët Kadmeioi Καδμείοι. Në vitet historike emri Kadmos u morr si emër i përvetshëm ashtu si u bë me emrin Minos.

Dyndja e parë greke

Në epokën e zhvillimit akeik, grekët përbëheshin nga të paktën shtatë fise edhe shtete. Nga lumi Peneus deri në lumin Sperchios quheshin Helenë, dhe vendi i tyre Hellas apo Hellada, në atë vend që pellazgët më parë e quanin Fthia dhe dorët më pas e quajtën Thessalia. Kryeqyteti i këtij shteti ishte qyteti i Iolkos në të cilin banonte edhe prijësi i fisit. Nga lumi Sperchios deri në Isthmo (Korinth) quheshin Iones dhe vendi Ionia kurse kryeqyteti dhe vendbanimi i prijësit ishte Athina dhe më vonë Salamina e cila ishte timar e prijësit. Nga Isthmos-i deri në gjirin e Ambrakisë quheshin Qefalines dhe vendi Qefalinia; ishulli Samos ose Samia që është matanë gjirit quhej Qefalinia Samos (sot Qefalonja – shënim nga Tannhauser) për t’u dalluar nga Karia Samos dhe nga Thraqia Samos (sot Samothraqi), kurse kryeqyteti i shtetit ishte Ithaqi ose Itaka.

Tre fise-shtete të tjera ishin në Peloponez. Në Peloponezin verior quheshin Arcades dhe vendi Arcadia dhe për kryeqytet kishin qytetin e Mikenës. Në Peloponezin jugor quheshin Lakones dhe vendi i tyre Lakonia me kryeqytet Amyklai-të dhe që afër së cilës u ndërtua Sparta dorike. Në Peloponezin perëndimor quheshin Thrakes dhe vendi i tyre Thrakë me kryeqytet Pylos-in dhe me kryeqytet alternativ ishullin e Sfajias ose Sfaktirias e cila si Salamina ose Itaka duhet të ishte timar i mbretit. Këta tre ishuj tregojnë me rolin e tyre se në kohë të shkurtër akejtë u kthyen në një fuqi detare. Kjo është Thraka e Thamyris-it dhe jo ajo që mendohet (i.e. e Ballkanit Lindor – shënim nga Tannhauser). Së fundi, në Kretë quheshin Kydones kurse vendi mbajti emrin e parë [paragrek] Kreta ose Kriti, dhe kryeqytet ishte Kydonia (Chania-të e sotme).

Këto shtatë shtetet akeike kur u bashkuan nën administratën e mbretit të Arcadisë, që ishte më i fuqishmi, si të ishte ky një mbret dhe të tjerët princa, kryen dy operacione serjoze luftarake. Prezenca e fenikëve në Egje dhe sidomos në Beoti, që shtatë shtetet greke i cilësonon si një gozhdë të huaj në brinjët e tyre, i bëri që të bashkohen dhe të zhvillojnë një ndjenjë kombësie; të mblidhen në një ushtri dhe të sulmojnë fenikët duke shpërbërë shtetin e tyre dhe duke skllavëruar ose eliminuar, asimiluar popullsinë jo-greke. I fundit ra kryeqyteti Kadmeia me dy përpjekje, e para e dështuar dhe e dyta suksesshme. Ky operacion që u krye në dy faza dhe zhduku prezencën fenike nga Greqia ngeli në histori me emrat luftërat tebaike (θηβαϊκοί πόλεμοι), të Tebës (θηβαϊκά), ose επτά επί Θήβας (shtatë kundër Tebës), sepse shtatë ishin alatët, dhe jo shtatë portat e Tebës siç thonë legjendat në letërsi (në tragjedinë e lashtë cikli Tebaik ishte një nga kryesorët e mitologjisë greke, dy të tjerët ishin cikli Argonautik dhe cikli Trojan – shënim nga Tannhauser). Ky veprim duhet të ishte zhvilluar në vitet 1330-1290 sepse prapë ngeli në histori se prijësit e përpjekjes së parë ishin bijtë e prijësve të përpjekjes së parë dhe njëkohësisht fituesit e Trojës.

Pas suksesit të këtij operacioni, akejtë, duke patur të sigurt prapavijat e tyre, sulmuan Egjeun dhe bregdetin e Azisë së Vogël. Dhe me një operacion të dytë, shumëvjeçar dhe të ndërlikuar sunduan bregun lindor të Egjeut. Ky operacion ngeli në histori si lufta e parë e Trojës, sepse dëshmohen qartazi dy luftëra. Dhe quhet kështu sepse qyteti i fundit që ra, më i fortifikuari dhe më i rëndësishmi ishte ai i Trojës, në gjirin e Helispontit. Troja ngeli e fundit sepse kishte shume furnizime ekonomike dhe ushtarake pasi zotëronte ngushticat e hyrje-daljes në Detin e Zi. Tyrrinët e dikurshëm dhe Tyrrinia, pas pushtimit akeik u quajtën Teukroi (Τεύκροι) dhe vendi i tyre Teuthrania (Τευθρανία). Nuk gjeta si quheshin shtetet akeike në jug të Teuthranisë dhe nëse përbënin shtete të ndryshme apo ishin pjesë të Teuthranisë.

Akejtë nuk arritën të dominojnë buzën e sipërme të Egjeut nga lumi Evros deri në lumin Peneus pasi në këtë perjudhë, zbritën nga Veriu populli [indoevropian] i Brygëve, duke ndjekur lumin Evros dhe pushtuan dy fiset pellazge që gjendeshin atje, Kristonët edhe Votët. Grekët më vonë u dhanë Brygëve emrin grek Thakë-as, për arsye që nuk do ta trajtoj këtu. Kështu u ngeli ky emër me të cilin njihen përgjithësisht (në të njëjtën mënyrë grekët quajtën Etruskët Tyrrinë). Prandaj edhe këto vende bregdetare, nga Helesponti deri në lumin Peneus, grekët e quanin Thaqi apo Trakë.

Akejtë u përhapën me koloni sporadike dhe jo të organizuara në unazën e Detit të Zi, në Sicili dge Itali, në Francën jugore dhe qeri në Qipro nga Lindja, siç kishin bërë më parë pellazgët, të cilët “trashëguan” të njëjtën hapësirë gjeografike. Lufta e parë Trojane duhet të jetë zhvilluar rreth viteve 1300-1260 p.K.

Dyndja e dyte greje, dorikët

Gjashtëdhjet vjet pas luftës së Trojës, siç ngeli në kujtesën historike të grekëve, u krye invazioni ose dyndja e fiseve dorike. Një valë e re dhe e fuqishme greke që përfitoi nga dekadenca e shteteve akeike dhe nga fakti se kishin përpunuar hekurin, zbriti nga Greqia e Epërme (malore) në atë të poshtme dhe e sundoi në një perjudhë të shkurtër, afërsisht brënda një brezi. Dyndja u krye të paktën në tre drejtime. Drejt Lindjes, nga Pindi lindor dhe jugor drejt Beotisë dhe Thesalise, drejt Perëndimit, nga Pindi perëndimor dhe jugor për në Qefalinia dhe së fundmi, drejt Jugut nga malet Aselinon (ose Gjona) dhe Parnasit drejt Ionisë dhe Peloponezit. Nuk dihet nëse vërshuan nga Veriu drejt Kaonisë fushore. Në qoftë se kanë vërshuar edhe andej nuk gjendën akeikë por mbeturina pellazgeose një përzierje iliro-pellage. Ilirët zbritën njëkohësisht me Brygët ose Thrakët.

Vala e re e grekëve kishte emrin dorieis ose eoleis dhe argeioi (Δωριείς, Αιολείς, Αργείοι). Dyndja e tyre u krye gjatë viteve 1240-1200 p.K. Pushtimi i Greqisë kontinentale dhe Peloponezit ishte hapi i parë nga tre stadet e dyndes së tyre. Në këtë perjudhë fiset dorike nuk ishin detare. Me përfitimin e aftësive detare, kryen stadin e dytë i cili ishte pushtimi i ishujve të Jonit dhe të Egjeut. Dhe në stadib e fundit pushtuan edhe këta Azinë e Vogël me bregdetin e saj lindor.

Ky operacion i fundit është e ashtuquajtura luftë e dytë e Trojës dhe duhet të jetë zhvilluar rreth viteve 1240-1220 p.K. (e cila përshkruhet në veprat Homerike, tek të cilat Homeri ngatëron shpeshherë ngjarjet e luftës së parë me atë të dytë – shënim nga Tannhauser). Me dyndjen e dorëve u bë përzierja e grekëve të parë [akejve] me këta të fundit, u kryen shumë shpërngulje masive si dhe copëtimi i kombit grek në shtetëruce e cila zgjati deri më shekullin e IV p. K. U shfaqën edhe emra të reja fisesh, të cilat më parë ishin emra familjare. Edhe dorët u përhapën duke ndjekur akejtë dhe pellazgët dhe arritën deri në Gibraltar, në Sicili, Afrikën e Veriut e ngjetkë.

Në kurorën e Egjeut u rishfaq një prezencë e dobët fenike, në perjudhën që dorët nuk ishin ende popull detar. Kjo prezencë e dobët ishte që u dha dorëve alfabetin, në këtë mënyrë grekët kaluan nga parahistoria në histori. Në shekullin e VIII p.K. kemi tre ngjarje të rëndësishme. 1. Grekët e Greqisë së Poshtme quhen tashmë helenë dhe përhapet ky emër fillimisht në Azinë e Vogël dhe më pas në të gjitha kolonitë, 2. Fillon kalendari grek me krijimin e Olimpiadës së parë (776 p.K.) dhe, 3. Kemi shkrimin e parë alfabetik grek.

Grekët e Greqisë së Epërme, të cilët ishin vetëm komb por jo shtet i organizuar ndaheshin në tre grupe. Grupi i Pindit lindor quhej maqedonë, grupi i Pindit perëndimor quhej molosë dhe grupi i jugut quhej etolë. Ekzistonin edhe nëngrupe me emërtimet e tyre përkatëse. Emri grekë filloi të humbiste përdorimin e tij dhe në fund u harrua deri në ardhjen e romakëve të cilët e përhapën në gjithë botën. Prandaj helenët nga popujt e Perëndimit quhen Grekë kurse nga popujt e Lindjes quhen Jonë. Jiyn në Dhjatën e Vjetër quhet Greqia dhe jiynim grekët, dhe në përkthimin e Septuagintës përkthehen Hellas dhe helenë. Në tekstet rabbinike quhen jonan kurse nga turqit dhe nga popuj arabë greqia quhet Junanistan dhe grekët junan.

Dominimi i Athinës dhe i Spartës

Brënda shekullit të V p.K. (në vitet 479-404 p.K) shteti i Athinës bëhet për një kohë të shkurtër sundues i gjithë kurorës së Egjeut dhe i shumë kolonive të Greqisë së Poshtme, afërsisht arrit kulmin e shtetit minoik dhe atij akeik por shpërbëhet nga shteti i Spartës në vitin 404 p.K. (pas luftës Peloponeziane 431-404) dhe Sparta me radhën e saj krijon një shtet të madh por jo kaq të fuqishëm sa të Athinës derisa edhe ky shtet shpërbëhet nga shteti i Tebës (362 p.K.). Edhe Teba u mundua të krijonte një shtet mbarëgrek në Greqinë e Poshtme por nuk e realizoi ëndrën e saj që zgjati vetëm 7 vjet (362-355 p.K.).

Dyndja e tretë greke, maqedonët

Pas tre përpjekjeve të dështuara të Greqisë së Poshtme për t’u bashkuar në një shtet u krye dyndja e tretë e grekëve nga Greqia e Epërme, dyndja e maqedonëve e cila ka qënë dhe e fundit. Vetëm që tani kohët kishin ndryshuar dhe nuk ishin të njëjtat me ato të parahistorisë. Dyndja nuk u bë në mënyrë masive por në mënyre ushtarake. Dhe nuk u kryen masakra të gjera (si në dy herë e tjera siç dëshmon Herodoti, por u vendos vetëm regjimi maqedon. Vetëm një ngjarje ishte e krahasueshme me dyndjen e dorëve, masakrat e gjera në qytetin e Tebës, që kishte qënë shteti i fundit sundimtar në Greqinë e Poshtme, nga Aleksandri i Madh dhe u bë për arsye shëmbëllimi të grekëve të tjerë, për të mos i shkaktuar probleme kur ky do nisej për pushtimin e Azisë. Dyndja e tretë u krye nën mbretërinë e Filippit të II dhe të Aleksandrit të III (të Madh).

Fund

2 σχόλια:

N.Ago είπε...

Të thashë që më ndihmon, apo jo?!

Tannhauser είπε...

Gëzohem, po qysh?