Παρασκευή, 02 Μαΐου 2008

Përpunimi i pergamenës

Emri i pergamenës fillimisht përdorej si epitet i fjalës difthera (lëkura që i ishin hequr qimet) dhe tregonte origjinën e saj, nga qyteti i Pergamit. Fjala pergamen si emër vendi (rreth Pergamit) përmendet për herë të parë nga Straboni [1] dhe ka filluar të përdoret nga grekët rreth vitit 230 p.K. (afërsisht perjudha e përdorimit të pergamenës si mjet shkrimi). Lëkura e rrjepur prej dhënve ose dhive fillimisht pastrohej nga copëzat e mishit, e dhjamit edhe nga papastërtitë, lahej mirë edhe më vonë lihej për tre-katër ditë në ujë të vakët.

Pas shtrydhjes lëkura zhytej në gëlqere për të njëjtën kohë që është mënyra më e mirë për të hequr lëkurën sipërfaqësore me qimet si dhe dhjamin e mbetur meqë uji gëlqeror është alkalik. Më vonë lëkura lahej në mënyrë skolastike dhe hiqeshin lëkura dhe qimet me fërkim. Kur mbaronte kjo fazë lëkura thahej për një kohë të shkurtër në diell dhe ende e lagur nderej në nje tellarë e tendosur ku me një çekiç prej druri shtypej lehtë e gjithë sipërfaqia.

Në fazën e dytë e gjithë pergamena ngjyhej me bojëra që përmbajnë taninë (e cila është antiseptike) dhe me substanca që përmbajnë kripëra të kromit (të cilat gjendeshin në rrënjët ose në fletat e bimëve dhe pemëve si lisi, gështënja, pishës etj). Kjo sigurisht ka qënë një fazë e ndërlikuar, që kërkonte durim dhe sekrete të vogla apo të mëdha nga përpunuesit por ishte pikërisht kjo fazë që garantonte cilësinë e dhe sigurinë e materialit. Në një kumtesë anonime të shek. të IX, e shkruar në një latinishte të çalë, e cila duke gjykuar nga solicizmat edhe gabimet ortografike duhet të jetë një përkthim nga greqishtja dhe që titullohet ''De artibus italicorum'' (Rreth arteve italiane) gjejmë këtë përshkrim për përpunimin e pergamenës:

Rreth pergamenës. Si duhet të përpunohet pergamena. Vendose në ujë me gëlqere dhe lere atje tre ditë. Tendose pastaj në një tellarë (= in cantiro) dhe kruaje me nje vegël (? nobacula = novacula) nga të dy anët. Pastaj zgjidhe edhe thaje. Më vonë shtype lehtë me dërrasë (? scapilatura). Pastaj duhet të pastrosh mirë qimet edhe venat. Në qoftë se nuk bën këto, shkrimi mbi të nuk do jetë i bukur dhe as do zgjasi shumë. Në fund ngjyeje me bojra [2].

Siç tregon ky udhëzim si dhe të tjera nëpër dorëshkrime, pergamena para se të shkruhej, ngjyhej me bojëra që nga të dy anët. Së fundmi pergamena pritej në copa të barabarta dhe përgatitej për shkrim. Siç thash edhe më lartë kafshët më të shpeshta që përdoreshin për shkrim ishin dhitë edhe dhëntë, dhe rrallëherë edhe ndonjë kafshë tjetër. Gjatë viteve të Krishtit qëndra më e madhe e prodhimit të pergamenës ishte qyteti i Romës. Pikërisht në Romë teknika e prodhimit të pergamenës pësoi edhe një lëvrim të rëndësishëm nga ana teknike. U bë i mundur prodhimi i një pergamene shumë të hollë e cila për hollësinë e saj quhej hymen dhe për bardhësinë e saj quhej membrana candida [3].

Për prodhimin e saj preferohej lëkura nga embrionet (e palindura) të dhënve, dhive si edhe lopëve. Dorëshkrimi për shëmbull i Manastirit të Pantokrator në Malin e Shenjtë (me numër katalogimi 234) i shek. të XIII është nga embrione dhive. Pergamena e dorëshkrimit është e bardhë dhe shumë e hollë, mund të them edhe më e hollë nga një letër e hollë satine 80 gr. Hollësia e pergamenës tregonte cilësinë si dhe luksi e saj.

Metoda romake e përpunimit të pergamenës (me embrione kafshësh) nuk pati ndonjë përhapje të madhe sepse ka qënë një teknikë shumë e shtrenjtë. Për një libër duheshin afërsisht 1.000 ose 2.000 shtjera domëthënë duheshin therrur 500 ose 1.000 dele me barrë. Përhapje dhe përdorim më të gjerë pati kryesisht pergamena greke. Pak kohë pas zbulimit të teknikës romake, përdorimi i pergamenës së bardhë erdhi duke u zvogëluar pasi lodhte shumë syrin [4] dhe kështu ngjyhej me ngjyrë të verdhë dhe quhej membrana lutea ose crocata [5].

Për luks akoma më të madh edhe të skajshëm pergamena ngjyhej me ngjyrë të purpurtë. Këto quheshin në greqisht πορφυραί διφθέραι dhe në latinisht membranae purpureae ose libri purpurei ose thjesht purpurea, purpura edhe coccus [6]. Një libër i tillë i cili shkruhej gjithmonë me letra të derdhura ari ose argjendi kushtonte një shumë të madhe prandaj edhe në numër janë të kufizuar. Për nga përmbajtja sigurisht që nuk shkruhej ndonjë libër i thjeshtë por kryevepra si Bibla apo Homeri. Dëshminë për Homerin e kemi nga një historian latin [7] kurse të Biblës rruhen të paktën 9 libra të tillë (si p.sh. dorëshkrimet T i Dhjatës së Vjetër, Psalmet nga biblioteka e Cyrihut C. 84, si dhe dorëshkrimet e Dhjatës së Re N ose 022, Σ ose 042, 080 etj). Nga dorëshkrimet e purpurta të Vulgatës, e famshme është Bibla e Karlit të Madh, e shkruar në shek. e VIII me gërma të arta dhe që gjendet në muzenë e Luvrit në Paris. Në Shqipëri kodik i purpurtë është ai i Beratit.

Shënime:

[1]. Στράβων, 12, 8, 2.

[2]. De artibus italicorum, 31 (Muratori 2, 270).

[3]. Γαληνός, Χρεία μόρ. ανθρωπ. σώμ. 10, 3 (Kühn 3, 776); PG 59, 187; Isidorus Hisp., Et., 6, 11, 2; 4.

[4]. Γαληνός, idem.

[5]. Lygdamus, El. 1, 9. Diocletianus, Edict. Prêt. Rer. Venal. 7, 38.

[6]. Πλούταρχος, Ηγεμόν. φιλος. διαλεγ., 4; Martialis, 3, 10-11; Hyeronymus, Praef. in Iob, PL 28, 1142a.

[7]. Iulius Capitolinus, Hist. Aug. Maximin. 19, 30, 4.

PG: Patrologia Graeca, J. P. Migne, Parisiis.

PL: Patrologia Latina, J. P. Migne, Parisiis.

2 σχόλια:

N.Ago είπε...

Me të vërtetë didaktike gjithçka shkruan këtu.

Tannhauser είπε...

Faleminderit N.Ago, janë disa gjëra që më pëlqen t'i ndaj me lexuesit, të paktën ata që kanë ndonjë interes rreth historisë.

U zemërova që e mbylle blogun, nejse ti di më mire.